Reforma e pagave e shtrirë edhe në pushtetin lokal po shoqërohet me debate, pasi ajo nuk është gjithëpërfshirëse. Çka do të thotë se jo të gjithë punonjësit janë përfitues. Madje në disa raste debatet lidhen me rritjen e ndjeshme të pagës së kryetarit, në raport me atë të punonjësve. Eksperti për çështjet vendore Agron Haxhimali, thotë se rritja e pagave të drejtuesve të bashkive është në përputhje të plotë ligjore.
“Ata janë në të drejtën ligjore, për sa kohë vendimi i këshillit të ministrave ka përcaktuar masën e rritjen dhe tavanet për çdo funksion, duke nisur me kryetarin, nënkryetarin, sekretarin, drejtorët dhe specialistët së bashku me trupën politike”, thotë Haxhimali.
Por pse bashkitë në disa raste sipas mundësive financiare shkojnë në tavanet e përcaktuara ndërsa disa të tjera jo.
“Kjo ka lidhje propocionaliteti, pra shkon në këtë logjike. Një pagë e madhe e titullarit është më e madhe dhe për zyrtarët e tjerë”, sqaron eksperti.
Por ngërçi i reformës së pagave në pushtetin lokal lidhet me ata punonjës që nuk kanë status të nëpunësit civil, por që janë të punësuar me kod pune dhe që nuk janë pjesë e përfitimit.
“Ky është një shqetësim. Në këtë rast duhet të ketë rregullime të tjera ligjore që lidhen për ata me kod pune. Por duhet thënë se askush nuk e pengon qeverisjen vendore të gjejë modalitetet për të rritur pagat e çdo punonjësi”, shpjegoi Haxhimali.
Qeveria qendrore ofron një fond të posaçëm për bashkitë që të realizojnë rritjen e pagave.
Ndërsa vet bashkitë me mundësitë financiare kanë hapësirë të shkojnë në limitet e përcaktuara për çdo funksion. Pushteti lokal në fund të 2023, numëronte 37 mijë punonjës./vizionplus.tv





