Pak orë pasi SPAK-u njoftoi nisjen e hetimeve për vrasjen e 4 protestuesve në 21 janarin e vitit 2011, Lulzim Basha ka mbështetur Prokurorinë e Posaçme duke i bërë apel të bëjë një hetim të plotë.
Gjatë një konference me gazetarët Basha, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm mohoi se nuk ka dhënë urdhër për të qëlluar me armë ndaj protestuesve.
“Jo dhe jo”, tha ai.
Edhe pse Basha prej 3 vitesh është pozicionuar kundër Sali Berishës, në asnjë rast ai nuk ka akuzuar ish-kryeministrin për përgjegjësi në vrasjen e 4 protestuesve
“Kjo është konferencë për shtyp nuk është GJKKO as SPAK, të lëmë SPAK dhe GJKKO të bëjnë punën e vet.”
Në raport me zgjedhjet e pjesshme në Himarë, nuk ka surpriza forca politike që Basha përfaqëson nuk do të garojë.
“Nuk do të garojmë se po na pengon gjykata e Apelit që nuk ka zbardhur vendimin.”
Prej momentit që u rikthye në krye të një grupi demokratëesh Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë palë zgjedhje, por vetë Basha ka premtuar se do të garojë në betejën e ardhshme për parlamentin.
Ende mbetet e paqartë se si do të hyjë në zgjedhje Lulzim Basha tashmë që nuk e ka logon e PD dhe për më tepër sekretari i përgjithshëm Alibeaj, nënkryetarët Bejko e Çollaku, sekretarët ligjorë e sekretari për marrëdhëniet me publikun janë larguar nga ai për të krijuar një parti të re politike ose për tu bashkuar me Partinë Demokratike dhe Sali Berishën.
/vizionplus.tv





