Nga foltorja e protestës, kreu i PD Sali Berisha i ka bërë thirrje aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtar të mos mbështesin kryeministrin Edi Rama.
“Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme”- shtoi lideri i selisë blu, nuk do të ketë stabilitet.
“Dy fjalë për miqtë, partnerët e Shqipërisë. Opozita shqiptare ka trashëgiminë më të shkëlqyer të bashkëpunimit me ju. Vendet anëtare të BE, vendet anëtare të NATO-s, partneri strategjik i shqiptarëve, SHBA, të gjithë ato që keni ndërtuar, bazuar mbi vlerat që ndani, mbi votën e lirë, mbi lirinë dhe të drejtat e qytetarëve. Kushtetushmërinë, zbatimin e ligjit. Sot, ju bëj thirrje: mos mbështesni regjimin e Edi Ramës, sepse Edi Rama është armik i votës së lirë të shqiptarëve.
Çdo mbështetje për të, është dështim për shqiptarët. Sikundër nga ky shesh, duhet t’ju deklaroj se Shqipëria nuk do ketë kurrë stabilitet pa votën e lirë të shqiptarëve. Stabiliteti dhe vota, stabiliteti dhe besimi, stabiliteti dhe e ardhmja, do jenë të pandara.”– deklaroi kryedemokrati.
Berisha shtoi se opozita nuk do të lejojë që Shqipëria të jetë vasale e vendeve të tjera, sikurse po ndodh sot me lejene e Edi Ramës.
“Shqipëria sot është do të thosha, vasale e të tjerëve. Vendimet për shqiptarët merren në Beograd. Por merren edhe në Ankara. Shkollat mbyllen, qeveritarët shkarkohen, kopshtet mbyllen, me Beogradin, me vëllezërit Kariç, merret porti i Durrësit. Të gjitha këto do marrin fund. Ne u themi partnerëve tanë, se vetëm një Shqipëri sovrane, e respektuar, do mund të qëndrojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar. E vërteta është se në këtë mënyrë si e trajtoni ju Shqipërinë e Edi Ramës, punoni kundër miqësisë, kundër bashkëpunimit me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Sot kam një apel: në rast se duan të votojnë të lirë, të bashkohen me ne, në betejën tonë vendimtare, sepse ne jemi të betuar të bëjmë çdo sakrificë për të sjellë votën e lirë në Shqipëri. Edi Rama, mos harro traditën e shqiptarëve për liri. Nuk po t’i them sot, por merre me mend: mjerë ai që prek lirinë e tyre, mjerë ai që prek votën e tyre. Votën kurrë nuk ta falim. Çdo qytetar shqiptar, që e do shpresën, besimin te ky vend, të bashkohet me ne, kundër vrasësit të shpresës së tyre, kundër Edi Ramës.”





