Një aksident ka ndodhur sot në fshatin Voskop në Korçë, ku një makinë ka përplasur fëmijën 12 vjeçar.
Policia bën me dije se rreth orës 17:10, në aksin rrugor Voskop-Korçë, në afërsi të lapidarit të fshatit Voskop, shtetasi K. G., 26 vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Volkswagen”, ka aksidentuar një të mitur 12-vjeçar, që po lëvizte në rrugë me biçikletë, i cili aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Korçës.
Drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Burime pranë spitalit të Korçes thanë se 12 vjeçari ndodhet në reanimacion në gjendje të rëndë. Ky segment rrugor është bërë herë pas here shkak për aksidente të ndryshme edhe për mungesë të sinjalistikës rrugore.





