Një nga tenistët më të mirë në botë, Novak Gjokoviç është ndaluar të marrë pjesë në kampionatin e tenisit “Australian Open”, të cilin e ka fituar nëntë herë.
Sportisti serb nuk ka marrë asnjërën nga dozat e vaksinës kundër koronavirusit dhe në vazhdimësi është shprehur skeptik ndaj imunizimit.
Forcat kufitare australiane lëshuan një deklaratë, në të cilën thuhet se Gjokoviç nuk arriti të siguronte provat e duhura për të plotësuar kushtet e hyrjes në vend dhe për këtë arsye iu anulua viza.
Kryeministri australian, Scott Morrison deklaroi se rregullat do të jenë në fuqi për të gjithë njësoj.
SCOTT MORRISON
KRYEMINISTER, AUSTRALI
“Rregullat janë rregulla dhe nuk ka raste speciale. Kjo është politika e qeverisë sonë, e domosdoshme për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Hyrja me vizë kërkon vaksinimin me dy doza ose një përjashtim mjekësor i cili në këtë rast nuk i plotëson kushtet. Prandaj rregullat mbeten në fuqi për të gjithë njësoj. Të gjithë udhëtarët kanë qënë në dijeni të tyre.”
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç deklaroi se autoritetet serbe po marrin masa në mënyrë që keqtrajtimi i tenistit më të mirë në botë, të marrë fund sa më parë.
Sipas rregullave të qeverisë së shtetit Viktoria, vetëm lojtarët, stafi, tifozët dhe zyrtarët plotësisht të vaksinuar mund të hyjnë në parkun e Melburnit, ku fillon turneu më 17 janar.





