Presidenti Ilir Meta shprehu shqetësimin për lirinë ekonomike në vend.
Duke ju referuar një raporti të fondacionit botëror “Heritage”, Meta u shpreh në rrjetet sociale se liria ekonomike në Shqipëri ka pësuar rënie me nëntë vende.
Ai bëri thirrje që 25 prilli të shfrytëzohet për të përmirësuar këtë gjë, shkruan “Vizion Plus”.
“Shqipëria, sipas raportit të fondacionit prestigjoz botëror “Heritage”, ka rënë nëntë vende më poshtë në renditjen për lirinë ekonomike, krahasuar me një vit më parë. Kjo rrëshqitje e frikshme në pikiadë e lirisë ekonomike, është pasojë e drejtpërdrejtë e cenimit brutal të të drejtave të pronësisë dhe mosfunksionimit të sistemit gjyqësor. Ky raport thellësisht negativ konfirmon qëndrimet e vazhdueshme publike, që kam shprehur edhe me dekrete, në mbrojtje të konkurrencës së lirë. Ndaj është urgjente ç’kapja e shtetit, Kuvendit, Qeverisë dhe e pushtetit gjyqësor nga oligarkët dhe interesat okulte. Referendumi i 25 prillit është një mundësi historike për të nxjerrë nga “intubimi” edhe lirinë ekonomike, krahas të gjitha lirive të tjera, që gëzojnë qytetarët në një vend plotësisht europian. 🇦🇱”





