Një udhëtim i zakonshëm me Uber u kthye në një skenë të pazakontë ndjekjeje në Hjuston të Teksasit, kur dy police hipën në automjetin e një shoferi dhe i kërkuan të ndiqte një të dyshuar që po arratisej në këmbë. Ngjarja, e regjistruar nga kamera e makinës, ndodhi më 8 gusht në zonën The Heights.
Shoferi Anthony Baines ndodhej pranë vendit ku do të merrte pasagjerin e radhës, kur pa një burrë pa bluzë duke vrapuar në rrugë, ndërsa pas tij ishin dy efektivë policie. Njëri prej tyre iu afrua makinës dhe i kërkoi Baines të drejtonte në drejtimin ku ishte larguar i dyshuari. “Shko nga aty, hajde, hajde”, dëgjohet polici duke i thënë, ndërsa bashkë me kolegun hipën në automjet.
A Houston Uber driver found himself involved in police activity after two officers jumped into his vehicle in pursuit of a suspect. pic.twitter.com/HCO5PfIIAP
— CBS Evening News with Tony Dokoupil (@CBSEveningNews) August 23, 2026
Sipas policisë së Hjustonit, ngjarja nisi pas një denoncimi për kërcënim. Një grua, e cila ndodhej në një pishinë me fëmijët e saj, kishte pasur një konflikt me të dyshuarin, i cili dyshohet se e kishte kërcënuar se do ta qëllonte atë dhe fëmijët. Kur policët mbërritën për të marrë deklaratën, burri u shfaq sërish dhe, sipas autoriteteve, kundërshtoi arrestimin dhe u largua me vrap.
Ndjekja me Uber zgjati vetëm pak minuta. Shoferi i çoi dy policët rreth një blloku banesash, ku ata u kthyen në automjetin e patrullës dhe vijuan kërkimet. I dyshuari, megjithatë, nuk u gjet dhe nuk është arrestuar. Policia konfirmoi gjithashtu autenticitetin e videos që u bë virale në rrjetet sociale.
Për Anthony Baines, i cili ka shërbyer më parë në ushtrinë amerikane, kjo ishte një nga situatat më të pazakonta gjatë dy viteve që punon si shofer Uber. Ai tha se veproi nën efektin e adrenalinës dhe iu bind policëve, ndërsa ngjarja shqetësoi edhe familjen e tij për rrezikun e mundshëm. “Unë nuk paguhem për situata të tilla”, mësohet t’i ketë thënë bashkëshortja, duke e vënë në dukje se shoferi nuk kishte pse të përfshihej në një ndjekje policore.
/vizionplus.tv





