Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, më 25 prill në qytetin lindor të Rusisë, Vlladivostok.
Agjensia shtetërore e lajmeve në vendin komunist konfirmoi takimin ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov, ka bere te ditur se axhenda e bisedimeve do të përfshijë forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe paqen në gadishullin korean.
Samiti do të mbahet në Far Eastern Federal University, një vend ky i përzgjedhur nga Koreja e Veriut për arsye sigurie. Kim Jong Un shkon për herë të parë në Rusi që pas vdekjes së babait të tij.
Koreja e Veriut ka shfaqur interes në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me qëllim rritjen ekonomike, pavarësisht sanksioneve amerikane për t’i dhënë fund programit bërthamor.
Takimi mes Kim e Putin, vjen në një kohë kur marrëdhëniet e Phenianit me Washingtonin nuk kane njohur progres.
Samiti i fundit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Hanoi nuk përfundoi sikurse ishte parashikuar.
Dy liderët u larguan pa asnjë deklaratë, ndërsa më vonë vendi komunist kerkoi zëvendësimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo me një pëërfaqësues tjetër “më të kujdesshëm”, nëse SHBA kërkon vazhdimin e bisedimeve.





