Kabineti i kryeministres Britanike Theresa May ka filluar të tkurret. Lëvizjet vijnë pas projekt-marrëveshjes së negociuar nga zyrtarët britanikë dhe ata të Bashkimit Europian, e cila tashmë duhet të marrë edhe miratimin e parlamentit në Londër.
Disa orë më parë, May humbi sekretarin e qeverisë për Brexit, Dominic Raab dhe Sekretarin e Shtetit për Irlandën e Veriut, konservatorin Shailesh Vara. Ky i fundit tha në letrën e dorëheqjes se nuk mund të mbështeste marrëveshjen e arritur me Bashkimin Evropian dhe të miratuar nga Kabineti të mërkurën.
Largimi i tyre u pasua nga dorëheqja e sekretarit të Punës dhe Pensioneve Esther McVey, dhe më pas nga Suella Braverman, një ministre e re në Departamentin për Brexit. Mediat paralajmërojnë se furtuna që ka përfshirë kabinetin e May mund të pasohet nga dorëheqje të tjera.
Një gjë e tillë i komplikon edhe me tej përpjekjet e Theresa May për të vazhduar procesin, por që mund të vënë në rrezik edhe mbijetesën e saj politike. Nëse ajo nuk arrin të sigurojë një mbështetje parlamentare për marrëveshjen, shanset që Britania e Madhe të largohet nga BE pa një marrëveshje, do të rriten në mënyrë dramatike.
Lëvizjet ne kabinetin e Theresa May, vijnë disa orë pasi presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, konfirmoi datën për takimin e jashtëzakonshëm, ndërsa shprehu shqetësimin për paqëndrueshmërinë politike në Londër. Gjatë një konference të përbashkët me kryenegociatorin për Brexit, Tusk tha se Këshilli Evropian do të mblidhet për të finalizuar një formalizim të marrëveshjes Brexit të dielën më 25 nëntor në orën 9.30.





