Marrëdhëniet mes Greqisë dhe Rusisë kanë arritur të jenë më të acaruara se kurrë më parë. Ministria e Jashtme e Greqisë i është përgjigjur ashpër Ministrisë së Jashtme ruse në lidhje me deklaratat e saj për vendimin e Greqisë mbi dëbimin e diplomatëve ruse nga Greqia.
Përgjigja vjen pas mesazheve të ashpra të Moskës, se Greqia po gabon dhe do të vuajë pasojat.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Moskë Maria Zaharova në një deklaratë u shpreh se Greqia më parë duhet të kishte komunikuar me Kremlinin.
“Për fat të keq, natyrisht, po flasim për politika të cila nuk janë pa pasoja. Ato nuk zhduken pa lënë gjurmë. Natyrisht, për fat të keq, e gjithë kjo vështirëson marrëdhëniet dypalëshe pa prezantuar asnjë element konstruktiv. Ne besojmë se grekët duhet të kenë kontakte me partnerët e tyre rusë dhe jo të joshen nga sfida të pista.”
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, e cila i kundërpërgjigjet duke deklaruar se Greqia ushtron politikë të jashtme të pavarur dhe Rusia po ushtron një logjikë negative.
“Deklaratat nga përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme Ruse janë një shembull karakteristik i mosrespektimit të një vendi të tretë dhe një mungesë e të kuptuarit të botës moderne në të cilën shtetet, pavarësisht nga madhësia, kanë autonomi dhe mund të ushtrojë një politikë të jashtme të pavarur, demokratike dhe multi-dimensionale. Një logjikë e tillë negative nxiti gjithashtu katër qytetarët rusë që të ndërmarrin veprimet që çuan në dëbimin e tyre ose në ndalimin e hyrjes në Greqi.”
Diplomacia greke ka shtuar se provat ia janë paraqitur palës ruse në kohën e duhur.
“Ministria e Jashtme Ruse po miraton dhe po tregon se dëshiron të legjitimojë këto veprime të paligjshme. Mosrespektimi i vazhdueshëm i Greqisë duhet të ndalet.”
Diplomacia greke përfundon deklaratën e saj, duke mohuar se vendimi i dëbimit të jetë marrë nën presion nga të tjerët.





