Investimet e qeverisë në Qarkun e Dibrës janë përqendruar në rindërtimin e infrastrukturës rrugorë. Kryeministri Rama, ka inspektuar ndërtimin në rrugën Arras-Kastriot, që lidh banorët e 20 fshatrave.
“Ky është dhe viti i Skënderbeut që fillon në 28 Nëntor deri në 28 Nëntorin e ardhshëm dhe në këtë mënyrë i japim edhe një destinacion turistik dhe paralelisht krijojmë kushte për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë rurale, krijojmë kushte për nxitjen e mëtejshme të prodhimit, sepse tani kostot ulen jashtëzakonisht shumë dhe mundësia e daljes në treg bëhet e thjeshtë. Rruga e Arbrit nga njëra anë, krijimi i një infrastrukture solide në Dibrën rurale, ku ka një problematikë kaq të trashëguar keqas na japin një bazë tjetër për të krijuar më shumë impakt.”
Kreu i qeverisë ka ndjekur edhe ndërtimin e unazës së Bashkisë Klos, duke siguruar mbështetje për investime të tjera.
“Do të bëjmë dhe urën, do bëjmë dhe rrugën në hyrje. Kryetari e ka projektin për t’u lidhur me unazën. Kur bashkëpunojnë socialistët me demokratët për punët reale bëhen gjëra të mëdha.”
I shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, kryeministri Rama ishte edhe në Komsi të Qarkut Dibër, ku pas ndërhyrjes së forcave të ushtrisë u ndërtua një urë, që ndihmon banorët e zonës.
“Mua më vjen shumë mirë që i kemi çliruar nga gjithë ky ankth i madh gjithë ato familje e prindër që kanë sjellë familjet për në shkollë, duke bërë cirk këtu dhe më vjen shumë mirë po ashtu që jemi në një bashkëpunim shumë të mirë me bashkitë e zonës, me kryetarët e bashkive dhe është një shembull i shkëlqyer që kur në terrenin e vështirësive, të problemeve, të halleve, të shqetësimeve, të shpresave, të nevojave të njerëzve jemi bashkë, të majtë e të djathtë, bëjmë ura.”
Kryeministri Rama, pas mbledhjes së qeverisë në Peshkopi, inspektoi punimet në ndërtimin e unazës së qytetit, duke e konsideruar atë një rrugë të vogël e Arbrit, për nga shpeshtësia e premtimeve që janë dhënë në 30 vjet për ndërtimin e saj.
Në Komunikimin Javor, kryeministri Edi Rama i ktheu përgjigje kundërshtarëve e tij politikë se asgjë s’do ta ndalojë qeverinë të bëjë punën me përgjegjësi pas besimit të dhënë nga populli.
“Vetëm me reformat e vështirat dhe jo me gënjeshtra, me hap të vogël, jo me iluzione e pallavra mund ta bëjmë Shqipërinë. Kujt i duhet sherri e konflikti? Njerëzve të zakonshëm jo njëherë. Kujt i duhet pallavrat që shpik politika çdo ditë? Shqipërisë jo njëherë. Është për të ardhur keq, kur sheh kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e pallavrave e shpikjeve. Kjo vjeshtë histerike e politikës, nuk mund të na pengojë për të bërë detyrën tonë.”
Rama tha se në buxhetin e ri do të financohet edhe një program masiv ndërhyrjesh për ta çuar rilindjen urbane edhe ne zonat rurale.





