Një vendim i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e futbollit turk.
Turgutluspor i ka besuar drejtimin e ekipit të meshkujve 22-vjeçares Zeynep Mestan, duke e bërë atë trajneren e parë femër në historinë e klubit.
Mestan, e lindur më 30 korrik 2004, ka një të kaluar si futbolliste dhe ka qenë pjesë e disa skuadrave të futbollit të femrave në zonën e Izmirit dhe Manisës. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Sportit në Universitetin Ege dhe më herët ka punuar edhe si asistente në ekipe futbolli për femra dhe meshkuj.
Vendimi i Turgutluspor është veçanërisht befasues për shkak të moshës së saj, por drejtuesit e klubit insistojnë se zgjedhja nuk është bërë për efekt publiciteti.
Presidenti i klubit, Yılmaz Gençtürk, ka deklaruar se drejtuesit janë bindur nga projektet dhe idetë e Mestan, ndërsa vendimi është marrë pas diskutimeve me stafin teknik.
“Ne besojmë shumë tek ajo. I besojmë njohurive dhe përgatitjes së saj taktike. Ajo na prezantoi projektet e saj dhe, pas konsultimeve me stafin teknik, vendosëm t’ia besojmë ekipin.”
Për Turgutluspor, zgjedhja vjen në një moment të vështirë sportiv. Klubi, që për vite me radhë ka garuar në nivelet e dyta dhe të treta të futbollit turk, ka pësuar rënie të njëpasnjëshme dhe tashmë do të luajë në “Manisa Super Amator Lig”.





