19 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në territorin e vendit, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe 9 janë nën mbikëqyrje. Të dhënat janë bërë publike nga Ministria e Mbrojtjes në përditësimin e situatës në orën 14:00.
Në operacionet për shuarjen dhe kontrollin e flakëve janë angazhuar 316 forca operacionale vendore dhe lokale, si dhe 7 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë vendosur në dispozicion 130 efektivë, 2 automjete zjarrfikëse, 13 mjete, një autoambulancë dhe një dron.
Në Qarkun e Tiranës, vatra në Malin e Dajtit vijon të jetë aktive. Në terren ndodhen 25 zjarrfikës dhe 7 forca të ADZM-së, të mbështetur nga 52 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 mjete dhe një autoambulancë. Sipas autoriteteve, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Në Qarkun e Dibrës, aktive mbeten vatrat në Lundre–Madhesh, Cerrujë–Mali i Allushit, Selishtë dhe Pleshë. Ndërkohë, Qafa e Helmes mbahet nën mbikëqyrje. Forcat vendore, zjarrfikëse, pyjore dhe vullnetare vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Qarkun e Lezhës, vatra në aksin Kalivaç–Zimaj–Rras i Butë–Ungrej vijon aktive. Në operacion janë angazhuar forcat vendore, 41 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe 4 mjete ushtarake. Aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Vatra në Gallatë të Kurbinit është nën mbikëqyrje.
Në Elbasan, vatrat në Qukës dhe Gurëshpatë mbahen nën mbikëqyrje.
Në Qarkun e Shkodrës, aktive vijojnë vatrat në Porav, Mnelë e Madhe dhe Rragam, ndërsa Tërbuni është nën mbikëqyrje. Në Rragam vijon puna e strukturave të MZSH-së, Shërbimit Pyjor, forcave bashkiake dhe Emergjencave Civile. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Qarkun e Fierit, Peshtani mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa vatra në Çërrilë të Mallakastrës vijon aktive. Përveç strukturave vendore, në terren janë angazhuar edhe 32 efektivë dhe 3 mjete të Forcave të Armatosura.
Në Qarkun e Korçës, vatra pranë Oparit është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Autoritetet bëjnë me dije se kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.





