Trajneri italian ka publikuar listën e parë të grumbullimeve të ciklit të tij, duke përfshirë 26 futbollistë për dy miqësoret e ardhshme ndaj Australisë dhe Indisë.
Lista e Ancelottit përfaqëson një ndryshim të madh në Seleçao. Plot 16 lojtarë që ishin pjesë e grupit të fundit të Botërorit nuk janë më në skuadër, ndërsa tetë futbollistë janë grumbulluar për herë të parë me kombëtaren e Brazilit.
Mes emrave të rinj spikasin Pedro Morisco, Otavio, Arthur Dias, Jair Cunha, Matheuzinho, Mauro Junior, Breno Bidon dhe Gabriel Bontempo. Në të njëjtën kohë, Ancelotti ka rikthyer disa talente që munguan në grumbullimin e fundit, si Esteveo, Andrey Santos dhe Joao Pedro.
Trajneri italian ka vendosur të hapë një kapitull të ri pas zhgënjimit në Botëror, me eliminimin në fazën e 1/8-ave përballë Norvegjisë së Erling Haaland. Objektivi tashmë është ndërtimi i një skuadre konkurruese për Kupën e Botës 2030, që do të zhvillohet në Spanjë, Portugali dhe Marok.
Rithemelimi prek edhe disa prej figurave kryesore të brezit të kaluar. Neymar, Danilo, Casemiro, Fabinho, Alex Sandro, Alisson dhe Ederson nuk janë më pjesë e projektit të ri, duke i hapur rrugën një gjenerate të re.
Liderët e rinj të Seleçao-s pritet të jenë Vinicius Junior dhe Raphinha. Dy sulmuesit, që shkëlqejnë respektivisht me Real Madridin dhe Barcelonën, do të kenë një rol edhe më të rëndësishëm në skuadrën e Ancelottit. Në mesfushë, Bruno Guimaraes shihet si një nga kandidatët kryesorë për të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe për të qenë një prej liderëve të ekipit, ndërsa Marquinhos mbetet një nga figurat më të rëndësishme të dhomës së zhveshjes.
Një vëmendje të veçantë do të ketë edhe Endrick. Sulmuesi i Real Madridit, i cili ende po kërkon vazhdimësinë e duhur, konsiderohet nga Ancelotti si një nga lojtarët kyç të së ardhmes së Brazilit.
“Kemi provuar disa sulmues gjatë kësaj periudhe. Ka shumë të rinj që po bëjnë mirë dhe duhet ta shoqërojmë rritjen e tyre. Endrick do të jetë një lojtar i rëndësishëm për të ardhmen e Brazilit”, deklaroi Ancelotti.
Me një miks mes eksperiencës së mbetur dhe talenteve të reja, Ancelotti ka nisur tashmë punën për të ndërtuar Brazilin e së ardhmes. Synimi është i qartë: një Seleção e re, më konkurruese dhe e gatshme për të rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror.





