Ministria e Mbrojtjes informon se në fshatin Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, Bashkia Pukë, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për menaxhimin e zjarrit, në një terren të vështirë malor.
Në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse me 19 efektivë të MZSH Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë. Në mbështetje janë 40 efektivë të Forcave të Armatosura, një automjet zjarrfikës dhe tre helikopterë të FA-së.
Për shkak të situatës, ka nisur evakuimi i banorëve më të ekspozuar, me përparësi fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreziku më i madh për zonën e banuar ka kaluar, ndërsa operacioni vijon për vënien e plotë nën kontroll të situatës.
Evakuimi dhe operacioni po zhvillohen në koordinim me AKMC-në, Prefekturën e Qarkut Shkodër, Bashkinë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.





