Dinamo përballet sot me Pafos në ndeshjen e parë të fazës play-off të Conference League.
Në konferencën për shtyp, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shpreh se skuadra beson te një rezultat pozitiv, pavarësisht disa problemeve që kanë prekur ekipin.
“Mungesa nuk kemi, por kemi një gjendje virale, që as neve të stafit nuk i kemi shpëtuar. Besoj që nesër do të jenë të gjithë në dispozicion, pavarësisht se ndonjë lojtar mund të jetë me minutazh të limituar, për shkak të viruseve që qarkullojnë në këto ditë vere. Kemi dhe 2-3 lojtarë që kanë qenë me terapi për t’u riaftësuar. Nesër mund t’i menaxhojmë në një mënyrë sa më të mirë të jetë e mundur”, tha Ilir Daja, trajner i Dinamos
Trajneri i Pafos, Rikardo Sá Pinto, pranoi se skuadra e tij konsiderohet favorite në letër, por theksoi se në fushë do të kërkohet kujdes maksimal. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për gjendjen e tapetit të stadiumit.
“Jemi gati për ndeshjen e nesërme kundër Dinamos. E pranoj që jemi favoritë. Shqetësimi i vetëm në këto momente është fusha, duhet të ishte në kushte më të mira. Nuk besoj se kjo fushë është në nivelin e ndeshjes së rëndësishme që do të luajmë nesër. Është mjaft e thatë. Shpresoj që deri nesër të rregullohet”, u shpreh Rikardo Sá Pinto, trajner i Pafos.
Dinamo synon të shfrytëzojë faktorin fushë dhe të marrë një rezultat pozitiv ndaj Pafos, për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit në fazën e grupeve të Conference League.
Ndeshja do të luhet në mbrëmje në stadiumin e Elbasanit.





