Partia Demokratike reagoi sot pas vrasjes së të riut portugez në Ksamil, duke e cilësuar ngjarjen si dëshmi të dështimit të qeverisë për të garantuar sigurinë në vend.
Në një deklaratë për mediat, PD tha se sezoni turistik i këtij viti është kthyer në një “verë të zezë për Shqipërinë”, duke përmendur vrasjet, zjarret, shpërthimet me tritol dhe pasigurinë si ngjarjet që kanë shoqëruar muajt e verës.
Demokratët shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës, ndërsa akuzuan qeverinë dhe Policinë e Shtetit se nuk kanë arritur të parandalojnë krimin.
“Për autoritetet e vendit, për narko-qeverinë, kjo vrasje makabre nuk mund të trajtohet si një tjetër komunikatë në kronikën e zezë. Ajo është faqja e zezë e Policisë dhe qeverisë, e cila siç ka treguar kaq e kaq herë, e ka mendjen te videot plot me suksese imagjinare, dhe jo te policimi në komunitet, jo te puna e parë e saj: parandalimi. Policia e Shtetit është kthyer në një agjensi që ndjek ‘autorët e ikur në drejtim të paditur’, jo një forcë të parandalimit të krimit, garantimit të sigurisë, forcimit të rendit publik. Sipas shprehjes popullore c’të mbjellësh, do të korrësh, kështu do vijojë të jetë sa kohë në drejtim emërohen patronazhistët e partisë, në partneritet me bandat, duke e kthyer edhe vetë policinë në bandë me uniformë” thuhet në deklaratën e PD-së
Partia Demokratike u zotua se, nëse vjen në pushtet, do të zbatojë një Paketë Anti-Krim brenda 100 ditëve të para, me synimin për t’i dhënë fund lidhjeve mes strukturave shtetërore dhe krimit.





