Katër persona kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e një zjarri të shkaktuar nga benzina në një skaf, në Porto Palermo, Himarë.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kësaj të hëne, në breg të detit, ku katër persona po punonin për riparimin e motorit të një skafi.
Lexo edhe :
Sipas të dhënave paraprake, gjatë kohës që po kryheshin punimet, njëri prej personave dyshohet se ka qenë duke konsumuar një cigare. Në këto momente, benzina e pranishme pranë motorit dhe në serbator dyshohet se ka marrë flakë, duke shkaktuar zjarr.
Si pasojë, të katër personat që po punonin me motorin kanë pësuar djegie. Ata kanë mundur të hidhen në det për t’i shpëtuar flakëve. Njëri prej tyre ka pësuar djegie të shumta në trup.
Të dëmtuarit janë transportuar për ndihmë mjekësore në spitalin e Himarës.
“Rreth orës 19:20, në Qendrën Shëndetësore Himarë janë paraqitur për ndihmë mjekësore 4 shtetas me djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se, gjatë riparimit të motorit të një skafi në Porto Palermo, shtetasit XH.I, 40 vjeç, A.O, 38 vjeç, M.M, 25 vjeç, A.D, 18 vjeç, kanë pësuar djegie, si pasojë e rënies në kontakt me lëndën djegëse benzinë.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon verifikimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.
/vizionplus.tv






