Situata e sigurisë detare në Lindjen e Mesme është përkeqësuar ndjeshëm pas dy incidenteve të rënda të regjistruara në orët e fundit në Detin e Kuq dhe në ujërat pranë Iranit.
Qeveria pro-saudite e Jemenit ka akuzuar zyrtarisht lëvizjen e rebelëve shiitë Huthi për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës kundër një anijeje tregtare me flamur liberian. Ngjarja ka ndodhur në ujerat e Detit të Kuq, pranë ngushticës strategjike Bab el-Mandeb.
Sipas autoriteteve jemenase, nga goditja me predha kanë mbetur të vdekur katër pjesëtarë të ekuipazhit, tre shtetas pakistanezë dhe një indonezian.
Anija tregtare u mor në mbrojtje nga një njësi e marinës ushtarake jemenase, e cila më pas ra vetë pre e të shtënave me armë zjarri, ku mbeti i plagosur një ushtar. Nëse përgjegjësia e Huthëve konfirmohet nga hetimet ndërkombëtare, këto do të shënonin viktimat e para njerëzore nga sulmet e rebelëve në këtë ngushticë strategjike lundrimi.
Tensionet në rajon janë rindezur pas përfundimit të armëpushimit shumëvjeçar në Jemen, një pasojë direkte e zhvillimeve të fundit ushtarake dhe sulmeve ajrore të kryera nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj objektivave në Iran.
Paralelisht me incidentin në Detin e Kuq, forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara kanë hapur zjarr ndaj një anijeje tregtare me flamur panamez në ujërat pranë Iranit.





