Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të bëra nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçic, se do të devijojë rrjedhën e lumit Ibër për të lënë Kosovën pa ujë.
Në reagimin e tij Berisha shkruan se Aleksandër Vuçiç do të shterojë ujin ndaj Kosovës.
Sipas Berishës ky është një “kërcënim të hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik”, ndërsa akuzon Vuçiçin për një politikë të drejtuar nga urrejtja ndaj shqiptarëve.
Reagimi i Berishës:
Do t’ju shterojë ujin!
Ky është kërcënimi i fundit i padronit të Edi Ramës, Aleksandër Vuçiç ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Ky kërcënim i hapur çnjerëzor me frymëzim mitologjik dëshmon dhe një herë se Presidenti i Serbomadhisë Vuçiç me imagjinatën e tij të sëmurë është i aftë që në një urrejtje të pakufishme ndaj shqiptarëve të planifikojë përdorimin edhe të etjes si armë genocidale ndaj etnisë së tyre dhe vendit fqinj.
Partia Demokratike dënon me forcë një kërcënim të tillë si akt destabilizues për paqen dhe stabilitetin në rajon.





