Shtetet e Bashkuara kanë përdorur pjesën më të madhe të rezervave globale të raketave me precizion të lartë, gjatë pesë muajve të luftës me Iranin, duke ngritur shqetësime për gatishmërinë ushtarake të vendit në rast konfliktesh të tjera. Kështu raportoi Reuters, duke cituar katër burime të njohura me të dhënat.
Sipas dy prej burimeve, SHBA ka përdorur pothuajse të gjithë stokun e raketave ATACMS (Army Tactical Missile Systems) dhe PrSM (Precision Strike Missiles), armë tokë-tokë që konsiderohen ndër më të rëndësishmet për goditje të sakta nga distanca të sigurta. Çdo raketë kushton mbi 1 milion dollarë.
ATACMS janë përdorur edhe nga Ukraina për goditje brenda territorit rus, ndërsa raketat PrSM përfaqësojnë gjeneratën më të re që pritet të zëvendësojë ATACMS, falë rrezes më të madhe të veprimit dhe aftësive më të avancuara.
Shqetësime për gatishmërinë ushtarake
Sipas Reuters, rënia e ndjeshme e rezervave mund ta detyrojë presidentin amerikan Donald Trump të mbështetet më shumë te sulmet ajrore me avionë të pilotuar, të cilat konsiderohen më të rrezikshme, nëse vendos të rifillojë operacionet ushtarake në shkallë të gjerë kundër Iranit.
Burimet paralajmërojnë se konsumimi i këtyre armëve mund të kufizojë aftësinë e SHBA-së për të frenuar kundërshtarë të tjerë strategjikë, si Rusia dhe Kina.
Megjithatë, një burim tjetër tha se Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) ka mundur të rimbushë pjesërisht rezervat duke përdorur stoqe të vendosura në baza ushtarake amerikane në vende të ndryshme të botës.
Trump: Kemi më shumë municione se kushdo tjetër
I pyetur për raportimet mbi rezervat, presidenti Donald Trump deklaroi se SHBA disponon “shumë më tepër municione se çdo vend tjetër në botë” dhe se industria amerikane e mbrojtjes po prodhon armë me ritme rekord.
“Kompanitë tona të mbrojtjes po prodhojnë më shumë municione se kurrë më parë, ndërsa po zgjerojnë fabrikat dhe kapacitetet e tyre në nivele rekord,” tha Trump.
Megjithatë, analistët ushtarakë theksojnë se, ndonëse prodhimi është rritur ndjeshëm, ai mund të mos jetë i mjaftueshëm për të përballuar një konflikt të zgjatur.
Reuters raporton gjithashtu se janë pakësuar edhe rezervat e sistemeve mbrojtëse, përfshirë raketat interceptuese Patriot dhe THAAD, të përdorura për të neutralizuar raketat balistike.
Sipas një raporti midis shkurtit dhe korrikut është përdorur rreth 65% e raketave Patriot, ndërsa rezervat e interceptorëve THAAD kanë rënë me të paktën 38% krahasuar me fillimin e luftës.
Një nga burimet shtoi se SHBA ka përdorur gjithashtu pothuajse gjysmën e rezervave globale të raketave lundruese Tomahawk, të cilat lëshohen kryesisht nga anijet luftarake të Marinës amerikane.
Ndërkohë, kompanitë e mbrojtjes Lockheed Martin dhe Raytheon po punojnë për rritjen e prodhimit të këtyre sistemeve, ndërsa Pentagoni synon të rindërtojë rezervat strategjike të armëve.





