Një foshnje vetëm 7 muajshe ka kaluar natën në burgun e grave në Pojskës të Pogradecit, pasi nëna e saj u arrestua për të vuajtur një dënim me tre vite burg për veprën penale të dhunës në familje.
Sipas raportimit, gruaja, banore në Tiranë, ishte dënuar në vitin 2023 nga Gjykata e Tiranës për dhunë ndaj vjehrrit të saj. Pas shpalljes së vendimit në shkallën e parë, ajo dhe bashkëshorti emigruan në Gjermani, ndërsa zbardhja e vendimit, që normalisht duhet të përfundonte brenda 13 deri në 15 ditësh, u vonua për më shumë se dy muaj, raporton gazetari Tonin Frroku në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus
Sipas burimeve, kjo vonesë mund t’i ketë pamundësuar gruas përfitimin nga aktet e amnistisë të miratuara gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë, ajo nuk kishte dijeni se ndaj saj ishte lëshuar urdhri i ekzekutimit të dënimit, pasi nuk kishte pasur më kontakte me avokatin mbrojtës.
Pas rikthimit nga Gjermania me bashkëshortin dhe tre fëmijët, gruaja kaloi pa probleme në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriçanit. Megjithatë, sapo mbërriti në banesën e saj në Tiranë, u ndalua nga efektivët e Komisariatit Nr. 6, të cilët i komunikuan urdhrin për ekzekutimin e dënimit dhe më pas e shoqëruan drejt burgut të grave në Pojskës.
Me nënën në burg përfundoi edhe foshnja 7-muajshe, ndërsa dy fëmijët e tjerë mbetën me babanë. Njëri prej tyre, sipas raportimit, vuan nga Sindroma Down dhe ka probleme shëndetësore.
Rasti ka ngjallur reagime të shumta publike, ndërsa Avokati i Popullit ndërhyri menjëherë duke vizituar burgun dhe duke nisur verifikimet për të parë nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe nëse është e ligjshme që foshnja të qëndrojë në ambientet e institucionit të vuajtjes së dënimit.
Avokati i Popullit ka bërë të ditur se ambientet ku po qëndronte nëna me foshnjën janë të përshtatshme, por sipas informacioneve të siguruara nga Vizion Plus, pritet që gjatë ditës së sotme gruaja së bashku me foshnjën të lënë burgun e Pojskësdhe të rikthehen në banesë.
/vizionplus.tv





