Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë këtë të mërkurë në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Në ceremoni ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se kjo është një ditë e veçantë për të rinjtë që nisin rrugëtimin e tyre në shërbim të Forcave të Armatosura, por edhe për familjet e tyre.
Kryeministri e cilësoi ceremoninë si një moment krenarie për trupën ushtarake dhe Shtabin e Përgjithshëm, duke kujtuar edhe periudhën e vështirë nga e cila, sipas tij, ka nisur ringritja e Forcave të Armatosura.
Rama: Jam i bindur që për vajzat dhe djemtë që sot hynë në rrugën e shërbimit, është emocion. Për prindërit, emocion shumë i veçantë të shohim të kurorëzohet një rrugë e gjatë e rritjes, mbështetjes me çdo sakrificë të fëmijëve të tyre, që sot janë ushtarakë në uniformë të atdheut. Fjala krenari është një fjalë që mund të futet në çdo fjali në një fjalim të tillë. Është një ditë krenarie për trupën dhe Shtabin e Përgjithshëm. Sot e kam të pamundur të mos kujtoj se në çfarë situate dramatike ka nisur ringritja e Forcave tona të Armatosura. Kjo fushë që sot shkëlqen, ka qenë një fuzhë e papërdorshme dhe Forcat e Armatosura mbaheshin në këmbë nga pasioni, edukata ushtarake e atyre që ishin përfaqësues.
/vizionplus.tv





