Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, duke goditur tre raste të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet.
Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve hetimore, u zbuluan tre lokale ku organizoheshin lojëra të ndryshme fati.
Gjatë operacionit u sekuestruan tre makineta, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe pesë telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari.
Në kuadër të operacionit, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasin G. Zh., 22 vjeç, ndërsa shpallën në kërkim dy të tjerë.
Sipas Policisë, ata dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient të marrë me qira në rrugën “Aleks Çaçi”, ku u gjetën dy makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin G. S. (J.), 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte me qira në Bathore u gjetën një makinetë dhe një telefon celular që dyshohet se përdorej për organizimin e lojërave të fatit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasi G. Zh., 22 vjeç, dhe shpallën në kërkim shtetasit M. Zh., 50 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç, pasi dyshohet se organizonin lojëra fati, në një ambient në rrugën “Aleks Çaçi”, që e kishin marrë me qira për këtë qëllim. Në këtë ambient u gjetën 2 makineta për lojëra fati, 1 tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi;
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasi G. S.(J.), 39 vjeç, pasi në lokalin me qira që administronte, në Bathore, u gjetën 1 makinetë dhe 1 celular që dyshohet se përdoreshin për lojëra fati;
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, iu gjet secilit celular që dyshohet se përdorej për organizimin e basteve sportive.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
/vizionplus.tv




