Merren të pandehur 15 persona për trafik ndërkombëtar droge. Hetimet e kryera nga SPAK dhe autoritetet e huaja kanë hedhur dritë mbi tre episode domethënëse, ku u tentua futja në tregun e paligjshëm e rreth 8 tonëve kokainë dhe hashash.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, janë kapur tre ngarkesa të ndryshme gjatë viteve 2020-2021. Vendet e origjinës ishin Amerika Latine, por edhe Spanja dhe Maroku, ndërsa destinacionet ishin shtete të tjera evropiane: Italia, Belgjika dhe Holanda. Për koordinimin e këtij aktiviteti kriminal, anëtarët e grupit kanë përdorur platformën e enkriptuar SkyECC.
Zyrtarisht, SPAK thotë se njëri nga episodet kriminale u parandalua që në Guayaquil të Ekuadorit, ndërsa dy të tjerët në Evropë.
Sipas organit të akuzës, u arrit të provohej se drejtuesit dhe financuesit e aktivitetit të paligjshëm ishin shtatë persona, mes të cilëve Artur Hoxhosmani, Genti Nderjaku dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Erion Alibej. Pjesa tjetër ishin pjesëmarrës në organizatë, me role të mirëpërcaktuara që garantonin funksionimin e saj.





