Tonet e forta të presidentit amerikan Donald Trump dominuan në ditën e dytë të Samitit të NATO-s. Nga marrëdhëniet me Iranin, te kritikat ndaj Spanjës dhe aleatëve të NATO-s, Trump përcolli mesazhe të ashpra, duke vënë sërish në diskutim balancën e përgjegjësive brenda Aleancës.
Presidenti amerikan deklaroi se nuk beson më te negociatat me Iranin, duke i cilësuar ato si të kota dhe duke akuzuar Teheranin për mungesë sinqeriteti.
“Për sa më përket mua, është thjesht humbje kohe të merresh me ta. Ata janë gënjeshtarë… Ka diçka që nuk shkon me ta. Ata janë të çuditshëm. Për sa më përket mua, armëpushimi ka mbaruar”, tha Trump.
Në qendër të kritikave ishte edhe Spanja. Trump e cilësoi Madridin një partner që nuk përmbush detyrimet në NATO dhe shkoi deri aty sa të sugjerojë ndërprerjen e marrëdhënieve tregtare dhe turistike me vendin.
“Spanja është një partner i tmerrshëm në NATO. Ata nuk marrin pjesë, nuk paguajnë, unë nuk dua të kem asgjë të bëj me Spanjën. Ndërpritni të gjithë tregtinë me Spanjën, përfshirë vizitat. Ne nuk duam asgjë. Shihini të kthehen me vrap, oh, ata do të kthehen me vrap”, shtoi presidenti amerikan.
Trump përsëriti gjithashtu se Shtetet e Bashkuara mbajnë barrën më të madhe financiare të Aleancës, ndërsa vendet e tjera nuk kontribuojnë në të njëjtën masë.
“SHBA-të janë trajtuar padrejtësisht. Ne paguajmë në mënyrë disproporcionale”, tha Trump.
Në deklaratat e tij nuk mungoi as Groenlanda.
“Groenlanda eshte shume e rendesishme per SHBA-te, por jo për Danimarken”, theksoi Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan pritet të shoqërohen me reagime nga aleatët evropianë, ndërsa në samit diskutimet vijojnë të përqendrohen te forcimi i mbrojtjes kolektive, rritja e shpenzimeve ushtarake dhe sfidat e sigurisë globale.





