Policia e Shtetit ka shtuar flotën e saj me 23 motoçikleta të reja, të financuara nga pasuritë e konfiskuara të grupeve kriminale, bën me dije gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj në Live në Mëngjes.
Motoçikletat do t’u shërbejnë forcave “Shqiponja” dhe Policisë Rrugore, me synimin për të rritur shpejtësinë e reagimit në raste emergjente, aksidente dhe ngjarje kriminale.
Gjatë prezantimit të investimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se fondet janë siguruar nga pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara me vendim gjykate, kryesisht nga goditja e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas tij, këto pasuri po rikthehen në shërbim të qytetarëve përmes investimeve në Policinë e Shtetit.
Për periudhën 2024–2026, deri në mesin e këtij viti, investimet e realizuara nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kapin vlerën e mbi 4 milionë eurove. Fondet janë përdorur për përmirësimin e flotës logjistike, pajisjeve teknologjike dhe infrastrukturës së policisë.
Sipas autoriteteve, investimet do të vijojnë edhe me pajisje të tjera, si autobote me ujë, dronë inteligjentë dhe teknologji për luftën kundër krimit kibernetik. Dronët do të përdoren për monitorimin e zonave ku kultivohet kanabisi, si edhe për kontrollin e zonave të thella malore gjatë operacioneve për kapjen e personave në kërkim.
Një tjetër projekt që pritet të vihet në funksion është salla “Smart City” pranë Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë. Ajo do të monitorojë në kohë reale rrugët më problematike dhe zonat pranë shkollave, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë publike.
/vizionplus.tv





