Dy punonjës të Burgut “Jordan Misja” kanë humbur jetën ditën e djeshme teka kanë qenë në krye të detyrës.
Viktimat janë Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, dhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave me gradën Kryeinspektor.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth orës 21:36 të mbrëmjes së 29 qershorit, Zog Muhametaj, Specialist i Informacionit me gradën Komisar, nuk u ndje mirë gjatë instruktazhit të stafit për ndërrimin e shërbimit. Ai mori menjëherë ndihmën e parë nga kolegët dhe personeli shëndetësor, ndërsa më pas u transportua me urgjencë në Spitalin Ushtarak, por nuk arriti të mbijetojë.
Vetëm pak orë më vonë, rreth mesnatës së 30 qershorit, edhe Pëllumb Vrana, Teknik i Kamerave me gradën Kryeinspektor, shfaqi probleme shëndetësore. Pas ndihmës së parë në institucion, ai u dërgua me urgjencë në QSUT, ku ndërroi jetë rreth orës 01:00, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Zog Muhametaj ishte pjesë e sistemit penitenciar që prej vitit 2015 dhe shërbente në IEVP “Jordan Misja” që nga viti 2023. Ndërsa Pëllumb Vrana, në detyrën e Teknikut të Kamerave, vlerësohej për kontributin e tij në sigurinë dhe funksionimin e institucionit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u ka shprehur gjithashtu ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të ndjerëve.





