Një shpërthim i shkaktuar nga një bombë e fshehur në një pako ka plagosur rëndë oligarkun ukrainas Vadym Yermolaiev, partneren e tij dhe djalin e tyre 13-vjeçar në një ndërtesë banimi në Monako, raportojnë mediat franceze dhe ukrainase.
Sipas autoriteteve, shpërthimi ndodhi pak para orës 21:00 me orën lokale, pranë kufirit me Francën. Prindërit ndodhen në gjendje kritike.
Qeveria e Monakos konfirmoi se shpërthimi u shkaktua nga një pako-bombë.

Sipas gazetës Le Figaro, kamerat e sigurisë kanë filmuar një person që la një çantë shpine në hollin e ndërtesës pak para shpërthimit. Pas sulmit, i dyshuari është parë duke u larguar në këmbë në drejtim të Francës.
Mbi 100 efektivë policie dhe ekipe emergjence u angazhuan në vendngjarje, ndërsa tre të plagosurit u transportuan për mjekim në një spital në qytetin francez të Nicës.
Princi Albert II i Monakos e dënoi sulmin, duke e quajtur atë një “krim të neveritshëm” dhe një tronditje për të gjithë komunitetin e principatës. Autoritetet e Monakos dhe Francës kanë nisur një hetim të përbashkët për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Vadym Yermolaiev është një biznesmen dhe zhvillues i pasurive të paluajtshme, i cili u largua nga Ukraina disa vite më parë dhe u vendos nën sanksione nga autoritetet ukrainase në dhjetor të vitit 2023.





