Kryeministrit Edi Rama ka vijuar me reagimet në rrjetet sociale për protestat. Kreu i qeverisë pretendon se protestuesit që mblidhen çdo ditë prej një muji në bulevardin qendror dhe kërkojnë dorëheqjen po keqpërdoren.
“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre. Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen, janë dy gjëra krejt të ndryshme”, shkruan Rama.
Sipas Ramës, shqetësimet konkrete të qytetarëve do të merren parasysh nga qeveria.
“Ai ujë që buron nga halle, shqetësime, probleme reale të jetës së çdo protestuesi apo simpatizanti të protestës, duhet kthyer dhe do ta kthejmë në energji për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian, duke ndarë me ta reflektimin tonë nga kjo protestë, sapo ta kemi lexuar me vëmendje e përulësi krejt mesazhin e zemërimit të tyre të sinqertë”, shkruan Rama.
Për personazhe që sipas shefit të ekzekutivit, po ushqejnë qytetarët shqiptarë me urrejtje ndaj qeverisë, Rama thotë nuk do të marrin të njëjtën përgjigje.
“Ndërsa korja e shpifur që ka bërë bashkë plot dështakë të zemëruar të Shqipërisë, turlilloj personazhesh që japin mend që s’i kanë dhe shfryjnë dufe e mllefe për të cilat s’ua ka fajin askush veç vetes, duhet parë e treguar pa asnjë ngurrim mu siç është”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, Rama shprehet nga këto protesta do të dalin të fituar ata që kanë besim tek qeveria aktuale ndërsa pjesa tjetër do të bëhet pishman.





