Ka nisur me diskutime dhe akuza seanca e sotme plenare mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, theksoi se sot shqiptarët qeverisen nga e njëjta parti, e cila ka ndryshuar vetëm emrin.
“Kjo parti, që ka bërë çfarë ka dashur me qytetin e Korçës, e quan PD-në forcën politike ish-komuniste të vendit. Ndërsa partia që thjesht ndryshoi emrin nga Partia e Punës në Parti Socialiste, quhet parti progresiste“, tha Këlliçi.
Ndërkohë, Taulant Balla ironizoi deputetët e PD-së, të cilët theksuan se PS-ja ka ndërruar emrin, duke thënë se sot në krye të Partisë Demokratike është një ish-sekretar i Partisë së Punës, i njohur edhe si varkëtari i familjes së diktatorit Enver Hoxha.
“U morën me emrin e partisë sonë, por harruan se sot kanë në krye një ish-sekretar partie. I vetmi ish-sekretar partie, njëkohësisht edhe varkëtari i barkës së diktatorit Enver Hoxha, që gëzohej kur diktatori i jepte dorën. Sot shoh shumë prej jush që gëzoheni kur protestuesit thërrasin ‘Berisha në burg’. Shkoni në protestë me shpresën se, ndoshta, protesta do t’jua heqë Saliun. Një gjë protesta e arriti: ju mundi juve, ne nuk na mund dot. E dëgjova një protestues që thoshte kur po hynit ju: ‘Opozitë e shitur’. A e dini pse jua thonë këtë fjalë? Çdo ditë, në atë protestë, po thyhen kockat e mbetura të asaj që quhet Partia Demokratike“, deklaroi Balla.





