Policia e Pogradecit ka zbardhur rrethanat e ngjarjes së djeshme ku mbeti i plagosur me armë zjarri 35-vjeçari Brian Syzo dhe ka identifikuar katër autorët.
Dy prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim (të katërt me precedent penal për krime kundër personit).
Policia njofton se njëri prej autorëve kryesorë u vu në pranga disa minuta pas ngjarjes.
“Dy prej tyre, shtetasit Nikolla Agolli, 24 vjeç, banues në fshatin Buçimas, dhe David Prifti, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 1, Pogradec, u vunë në pranga, ndërsa 2 të tjerët, shtetasit Meard Berberi, 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Pogradec, dhe Edison Agolli (vëllai i autorit), 22 vjeç, banues në fshatin Buçimas, u shpallën në kërkim”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, për shkak të konflikteve të mëparshme me Brian Syzon, kanë tentuar ta vrasin atë duke e qëlluar me armë zjarri, gjatë kohës që ai ndodhej në automjetin e tij, të parkuar në lagjen nr. 3, Pogradec.
Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 automjete dhe 6 aparate celularë.
35-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.
Ndaj autorëve të dyshuar rëndojnë veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.





