Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha përsëriti se mbështet kërkesat e protestuesve duke nisur nga largimi i Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie teknike. Por në konferencën me gazetarët Berisha specifikoi se mbështet edhe kërkesën e tyre që kryeministrit të qëndrojë në detyrë vetëm dy mandate gjatë gjithë jetës politike të një individi
“Kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. Partia Demokratike është plotësisht dakord. Plotësisht dakord! Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe të bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë. Pse? Pse kjo? Sepse u bë e qartë se Edi Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Nuk lejon”, tha Berisha.
Në një rast hipotetik nëse Kushtetuta ndryshohet për të vendosur kufizimin e mandateve për Kryeministrin siç e kërkojnë protestuesit, 2 mandate për gjithë jetën politike, kjo prek dhe vetë Berishën i cili nuk mund të garojë më për postin e Kryeministrit, pasi ka mbajtur këtë post nga viti 2005 deri në vitin 2013.
Mbetet për t’u parë nëse vetë Berisha po paralajmëron që nuk do të garojë më për Kryeministër.
Ndërkaq Berisha ka mbrojtur protestuesit dhe Dritan Goxhajn që dy ditë më parë lexoi kërkesat e tyre, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama se po përdor mjete të diktaturës komuniste kundër tyre.
“Edi Rama është shndërruar në dajën e vet. Rrëmon në biografitë e njerëzve në mënyrën më të perversë, më të poshtër. Përpiqen të manipulojnë me dokumente duke falsifikuar firma etj”, tha Berisha.





