Kryeministri Edi Rama ka folur në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS lidhur me investimin në Zvërnec dhe protestat në vend prej 20 ditësh.
Rama:
Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushner dhe hijet e vjehrrit të tij, të cilin e urren për vdekje armata online dhe kujton se gjeti në bulevardin e Tiranës Donald Trump.
I gënjeu mendja fuqishëm se çadra globale e kësaj proteste do bënte mrekullinë që nuk bëri dot çadra lokale e Lulit tim. Kështu me sqepin e një zogu të vetëm, bota e madhe do turpëronte Trumpin në betejën e Nartës, ndërsa armata shurdhuese e influencer-ëve, followers, urrejtësve dhe mercenarëve digjitalë të vënë në dispozicion nga armiqtë e Shqipërisë, do shpëtonte Shqipërinë nga unë. Për llogari të karavidheve të opozitës.
Me befasinë e ngjashme të një aksidenti fatal, miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zverneci dinin se çfarë duhet të mendonin për Zvernecin, jo sepse analizuan projektin, por sepse te brishtësia e bukur e një zogu, duke gjetur valvulën e shfryrjes së një mllefi, u hap edhe një kanal për mllefin kundër meje, kundër PS-së.
Kjo kohë e re ku edhe një rrëfje lokale bëhet përplasje globale, transporton zemërime, identitete fetare e sociale, gënjeshtra shumë më shpejt se faktet, arsyetimet e mirëkuptimet.
Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë pjesë e një lufte ideologjike që nuk ka fare për objekt Shqipërinë. Shqipëria u bë zogu. Ne u gjendëm në mes të saj. Jo si autorë, por thjesht si skenë. Kjo është risia e kohës që jetojmë.
Një kohë ku algoritmet udhëtojnë më shpejt se vërtetësia, ku e vërteta mbetet krejt jetime.
Kjo është paralajmëruese, jo për mandatin tim, por për demokracinë në kohën e algoritmit. Për të qenë të përgatitur për çfarë vjen më tutje, sepse ky është vetëm fillimi.
/vizionplus.tv





