Deri në vitin 2027 pritet të jetë funksionale Dritarja e Vetme Kombëtare Doganore, një sistem digjital, që dokumentacionin në letër e konverton në të dhëna digjitale, duke lehtësuar ndërveprimin e operatorëve ekonomikë me institucionet shtetërore.
“Është një platformë në të cilën të gjithë bizneset apo operatorët ekonomikë do të mund të ndërveprojnë me një institucion në raport me të gjithë institucionet e tjera. Mund të aplikojnë në dritaren unike dhe të heqin çdo ndëreprim më pas të operatorit ekonomkik me punonjësit e doganës ose institucine të tjera që lidhen me zhdoganimin e mallrave. E kemi nisur projektin së bashku me Bankën Botërore që po bën të mundur zhvillimin e softuerit që duhet për të funksionuar dritarja, baza ligjore është në proces miratimi. Në planet që kemi është që për 1 vit, 1 vit e gjysmë të mbyllet procesi”, tha drejtori i përgjithshëm i Doganave Besmir Beja.
Veç krijimit të Dritares Unike, Drejtoria e Doganave po punon edhe për të hequr disa tarifa doganore për bizneset.
“Ne po përpiqemi të heqim barriera që kanë bizneset, që mund të jenë edhe monetare në ndërveprim me doganat. Jemi edhe në fazën ku po marrim masa për të hequr edhe ato kosto, barriera të vogla që biznesi ka kur ndërvepron me doganën, që duhen paguar disa tarifa. Ne kemi bërë propozim në Ministrinë e Financave që të hiqen edhe këto barriera, tarifa, duke pasur parasysh që vlera monetare në buxhet nuk është e madhe dhe krijon një ndërveprim mes operatorit dhe punonjësit, që në disa raste çon në një marrëdhënie jo të përshtatshme”, shtoi Beja.
Për të luftuar korrupsionin ku mund të përfshihen doganierët, ata do të pajisen edhe me kamera trupi, që do të dokumentojnë me video dhe audio çdo veprim që kryhet. Po ashtu, po punohet që grupet e antikontrabandës të pajisen me dronë, për të pasur një kontroll më të mirë të territorit në distancë.





