Policia e Shtetit ka njoftuar se nga 19 qershori deri më 15 shtator 2026 do të zbatohen kufizime të posaçme për qarkullimin e mjeteve të rënda në të gjithë vendin, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe lehtësimin e trafikut gjatë sezonit turistik.
Këto kufizime zbatohen për mjetet e transportit të mallrave me masë totale maksimale të autorizuar mbi 7.5 tonë, si dhe për kategori të tjera të përcaktuara në udhëzim, në autostrada, si dhe në rrugë interurbane dhe urbane (kryesisht në segmentet që përshkojnë zonat turistike).
Orari i kufizimeve
Gjatë periudhës 19 qershor – 15 shtator, qarkullimi i mjeteve të rënda do të kufizohet:
- Të premten, nga ora 15:00 deri në 24:00;
- Të shtunën, nga ora 07:00 deri në 24:00;
- Të dielën, nga ora 07:00 deri në 24:00.
Për ditët e festave zyrtare, kufizimet fillojnë nga ora 15:00 e ditës pararendëse deri në orën 22:00 dhe vijojnë nga ora 07:00 deri në orën 24:00 të ditës së festës.
Nga këto masa përjashtohen mjetet e emergjencës, automjetet e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe mjetet që transportojnë mallra të domosdoshme, përfshirë produktet ushqimore që prishen.
Autoritetet bëjnë të ditur se në raste të veçanta, si furnizimet kritike ose situatat emergjente, mund të jepen leje të posaçme nga institucionet përgjegjëse.
Policia e Shtetit u bën thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë këto kufizime, me qëllim parandalimin e aksidenteve, shmangien e mbingarkesës së trafikut dhe garantimin e një sezoni turistik sa më të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.





