Një aksident me pasojë vdekjen e një fëmije 4-vjeçar është regjistruar në aksin rrugor Korçë–Qafë e Qarrit, në dalje të fshatit Kamenicë.
Vizion Plus mëson se një mjet tip fuoristradë, që po lëvizte nga Korça në drejtim të Qafës së Qarrit, ka përplasur të miturin, i cili mësohet se ka qenë duke lëvizur në aksin nacional.
Si pasojë e plagëve të marra, fëmija u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, por nuk arriti t’u mbijetojë dëmtimeve.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se në momentin e aksidentit, 4-vjeçari ka qenë i shoqëruar nga nëna.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i mjetit është përpjekur të shmangë përplasjen me fëmijën, por nuk ka mundur ta evitojë aksidentin. Pas goditjes, automjeti ka përfunduar në anën tjetër të rrugës.
Drejtuesi i fuoristradës është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Korçë, ku po merret në pyetje për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e ngjarjes.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti tragjik.
/vizionplus.tv





