Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e sotme për mediat, e vuri theksin në protestën rinore-qytetare, që prej 12 ditësh zhvillohet çdo mbrëmje në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehu mbështetjen e plotë për protestën, të cilën e cilësoi si lëvizjen më të madhe qytetare të dekadave të fundit.
’Tirana nuk ka njohur në historinë e vet një protestë kaq të fuqishme dhe masive dhe persistente sa kjo’, theksoi ai.
Gjatë fjalës me gazetarët, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të zbehë protestën përmes organizimit të aktiviteteve politike paralele dhe i kërkoi të heqë dorë nga ato që i quajti ‘antimitingje’.
‘Edi Rama duhet të heqë urgjentisht dorë nga antimitingjet. Të mos sfidojë uraganin e fuqishëm paqësor të rinisë studentore me antimitingje mafiozësh, banditësh dhe delinkuentësh të mbledhur me detyrim’, deklaroi Berisha.
Berisha gjithashtu u bëri thirrje demokratëve dhe qytetarëve të bashkohen me protestën, duke e konsideruar atë një lëvizje që shkon përtej kufijve partiakë dhe që synon, sipas tij, fundin e regjimit të Edi Ramës.
Berisha ftoi mbështetësit e opozitës të vazhdojnë betejën politike deri në rikthimin e votës së lirë dhe ardhjen e opozitës në pushtet.
‘Ftoj qytetarët, demokratët dhe demokratet të vazhdojmë betejën tonë gjer në realizimin e misionit tonë, rikthimin e votës së lirë dhe të opozitës në pushtet’, theksoi Berisha.
I pyetur nga gazetarët në lidhje me heqjen e sanksioneve nga SHBA, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për lejimin e hyrjes së tij dhe familjes së tij në SHBA përbën korrigjimin e një padrejtësie të administratës së mëparshme dhe fundin e izolimit politik që, sipas tij, ishte vendosur për arsye politike.





