Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali i Forcave Ajrore amerikane Alexus G. Grynkewich, njoftoi sot, më 12 qershor, se Aleanca do të nisë një përshtatje graduale të pranisë së saj ushtarake në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm. Sipas tij, ky vendim vjen si rezultat i “përmirësimit të ndjeshëm të situatës së sigurisë në vend”.
Njoftimi i NATO-s u publikua simbolikisht në përvjetorin e 27-të të çlirimit të Kosovës, pas ndërhyrjes ajrore të Aleancës në vitin 1999 ndaj caqeve serbe dhe jugosllave.
Shenjat e përmirësimit
“Gjatë viteve të fundit, situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësim të vazhdueshëm. Si pasojë, në janar NATO pezulloi dislokimin e forcave rezervë për KFOR-in, duke i dhënë fund një periudhe mbi dyvjeçare rotacioni të vazhdueshëm. Duke qenë se stabiliteti mbetet i qëndrueshëm, Aleanca do të ndryshojë pozicionimin dhe gradualisht do të rregullojë madhësinë e forcës gjatë vitit të ardhshëm”, thuhet në deklaratën zyrtare, duke cituar Grynkewich.
Megjithatë, NATO thekson se këto lëvizje nuk nënkuptojnë tërheqje nga angazhimi në Kosovë, por një përshtatje të vazhdueshme me realitetin në terren.
Që nga përfundimi i luftës më 1999, misioni i KFOR-it ka kaluar nëpër faza të ndryshme ristrukturimi, duke reflektuar zhvillimet e sigurisë në vend.
Tensionet e vitit 2023 në veri të Kosovës mbeten një kujtesë e brishtësisë së situatës. Në maj të atij viti, 93 pjesëtarë të KFOR-it u plagosën gjatë përleshjeve me protestues serbë, të cilët kundërshtonin marrjen e detyrës nga kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Pas këtyre incidenteve, NATO realizoi përforcimin më të madh të misionit në më shumë se një dekadë, duke dërguar rreth 1.000 trupa shtesë në terren.
NATO mbetet i përkushtuar ndaj Kosovës
Sot, pavarësisht planeve për reduktim gradual, gjenerali Grynkewich rikujtoi se angazhimi i NATO-s për sigurinë e Kosovësmbetet i palëkundur. “NATO dhe KFOR-i janë plotësisht të përkushtuar për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen në Kosovë. Ky përkushtim ka kontribuar në rritjen e stabilitetit dhe në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë në vend”, theksoi ai.
Aktualisht, në Kosovë janë të dislocuara rreth 4.600 trupa paqeruajtëse nga vendet anëtare të Aleancës, një numër dukshëm më i ulët krahasuar me rreth 50.000 trupa sa ishin menjëherë pas luftës.
NATO nënvizon se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi të lartë strategjike dhe se siguria e tij është e lidhur drejtpërdrejt me stabilitetin euroatlantik. “Aleanca nuk do të lejojë krijimin e një vakuumi sigurie në rajon”, paralajmëroi Grynkewich.
Në të njëjtën kohë, NATO vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, duke u bërë thirrje palëve të angazhohen seriozisht për zgjidhjen e çështjeve të mbetura.
Sipas Aleancës, arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve, mbetet thelbësore për paqe të qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitet afatgjatë në rajon.





