Në ditën e 8 të protestave kundër investimit në Zvërnec, Kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se nuk tërhiqet dhe nuk do të plotësojë kërkesat e qytetarëve, të cilët prej datës 31 maj protestojnë çdo mbrëmje para godinës së qeverisë.
Rama shfrytëzoi podcastin e përjavshëm për të theksuar se projekti në Zvërnec do të zbatohet.
“Projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane.”
Përballë revoltës së qytetarëve që protestojnë para Kryeministrisë, Kryeministri Rama vuri qëndrimin e banorëve të Zvërnecit, të cilët sipas tij mbështesin investimin:
“Në asnjë moment nuk dëgjova prej tyre të vihej në diskutim vetë ideja që ky investim duhet të ndalet. Madje, përkundrazi, ndjeva shqetësim edhe më pas kur dolëm; ndjeva shqetësim që: ‘Aman, mos ndalet, aman, mos ta humbasim këtë gjë’.”
Nga ana tjetër, Kryeministri Edi Rama sulmoi protestuesit të cilët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec, duke i akuzuar se po dëmtojnë turizmin:
“Ka një turmë në bulevard, një turmë shumë biodiverse, që nga të marrët që fusin rrethin katror dhe pastaj e quajnë rrethin katror, te lloj-lloj personazhesh që kërkojnë ‘like’ dhe që jetojnë me ‘like’. Influencera që fitojnë paratë e dynjasë përmes rrjeteve sociale dhe s’paguajnë një kokërr leku, një kokërr leku taksë. Të tjerë që janë delirantë, me flamurin të lidhur këtu në fyt dhe që e vënë qeleshen si një certifikatë pastërtie patriotike; të tjerë që janë realisht të shqetësuar, vajza dhe djem që duan të shfryjnë pakënaqësitë e tyre etj. Është një turmë normale, s’ka asnjë problem. Por kjo që turma normale kthehet në qindra mijëra njerëz që po vlojnë në Shqipëri do të dëmtojë turizmin, çuna, goca. Kanë filluar disa shenja shqetësuese të çregjistrimeve në Sarandë”.
Prej së dielës, mijëra qytetarë protestojnë çdo mbrëmje para Kryeministrisë duke kërkuar jo thjesht anulimin e projektit në Zvërnec. Protestuesit kërkojnë së pari dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama, si dhe anulimin e disa ligjeve që për ta dëmtojnë të ardhmen e vendit; ligjin për investimet strategjike, ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, paketën e maleve dhe ndryshimet në ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Protestat janë zgjeruar përtej Tiranës dhe tubime të ngjashme janë mbajtur në Durrës, Shkodër, Korçë e Vlorë.
Këtyre protestave u janë bashkuar edhe shqiptarët në diasporë, dhe tubime të ngjashme janë mbajtur në New York, Frankfurt, Londër, Milano, Zyrih e Oslo.
/vizionplus.tv





