Punimet e Parlamentit nisën me debate të forta për investimin e planifikuar në zonën e Zvërnecit. Opozita dënoi dhunën që, sipas saj, u ushtrua ndaj protestuesve gjatë tubimit të një dite më pare në Tiranë.
“Protesta e djeshme tregoi se shumë të rinj u përballën me dhunën e qeverisë dhe nuk ndihem mirë kur shqiptarët përballen me këtë dhunë, por ajo shërben për të parë fytyrën e vërtetë të qeverisë”, tha deputetja demokrate Jorida Tabaku.
“Jam këtu për të denoncuar me forcën më të madhe vendimin e kreut të Meduzës për të organizuar nesër në Vlorë antimitingun më të turpshëm në histori. Ju paralajmëroj se në mënyrë absolute antimitingjet tuaja nuk do të tolerohen”, tha kreu i PD-së Sali Berisha.
Mazhoranca iu përgjigj akuzave të opozitës, duke deklaruar se kjo e fundit po e shfrytëzon situatën për përfitime politike dhe jo në interes të qytetarëve.
“Ju nuk keni lidhje fare me atë protestë, sepse ata ju përbuzin juve. Ky është një teatër i shëmtuar. Mundohuni të kapni ndonjë video në protestë, sepse vetëm për atë jeni”, tha ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.
“Sa i përket investimit në Zvërnec, ai do të bëhet, sepse vendi nuk e ka luksin të mos e ketë këtë investim. Është një investim historik dhe do të na vendosë mes vendeve kampione në turizëm. Ata që dalin kundër janë kundër zhvillimit të vendit. Tregohuni të qartë dhe thoni nëse jeni pro apo kundër investimit”, tha kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Ndërkohë, protestat për çështjen e Zvërnecit pritet të vijojnë.





