Gazetari i Vizion Plus Tonin Frroku ka siguruar foton e Violand Braçellarit, autor i vrasjes së efektivit të ‘Shqiponjave’ Enea Mekolli dhe i plagosjes së efektivit tjetër Edison Adri në Lozhan të Maliqit. Braçellari rezulton në kërkim që prej vitit 2017 për llogari të policisë së Vlorës.
Policia kishte rënë në gjurmët e tij dhe shkuan për të arrestuar, por i përballën me pritë.
Lexo edhe :
Related Posts
43-vjeçari cilësohej si një person i rrezikshëm, i njohur në zonën e Maliqit për ngjarjet e mëparshme kriminale ku dyshohet se ka qenë i përfshirë.
Gazetari i Vizion Plus Tonin Frroku mëson gjithashtu se autori jetonte pranë stanit në pyll, aty kishte edhe banesën. Braçellari jetonte vetëm me nënën e tij.
Vendimi i Gjykatës së Lartë
Gazetari gjithashtu ka siguruar edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila lë në fuqi dënimin e Braçellarit me 10 vite burgim, vendim i marrë në datën 25 janar 2024.
“Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 10 vite burg për Violand Braçellarin
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur më 25 janar 2024 të mos pranojë rekursin e paraqitur nga Violand Braçellari, duke lënë në fuqi vendimet e Gjykatës së Apelit Korçë dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, të cilat e kanë dënuar atë me 10 vite burg për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Sipas dosjes gjyqësore, në shtator të vitit 2015 policia zbuloi prova që lidhnin Braçellarin me kultivimin, tharjen dhe transportimin e lëndës narkotike cannabis sativa. Gjatë kontrollit të një banese në Lozhan të Sipërm u gjetën 10.8 gram mbetje cannabis, ndërsa në telefonin e tij celular u gjetën fotografi, video dhe komunikime që sipas gjykatave dokumentonin aktivitetin e paligjshëm dhe bashkëpunimin me persona të tjerë të paidentifikuar.
Braçellari kundërshtoi akuzat, duke pretenduar se provat ishin siguruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk kishte lidhje me lëndën narkotike të sekuestruar. Ai kërkoi shpalljen e pafajshëm ose rikthimin e çështjes për rigjykim.
Gjykata e Lartë vlerësoi se gjykatat e mëparshme kishin zbatuar drejt ligjin procedural dhe material penal, duke arritur në përfundimin se rekursi nuk përmbante shkaqe ligjore për t’u pranuar. Për këtë arsye, vendimi për dënimin me 10 vite burg mbetet në fuqi”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.






