Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar në mbledhjen e grupit parlamentar se pas Kuvendit Kombëtar, PD hyn në një etapë të re politike dhe organizative, e fokusuar te ripërtëritja, vizioni, modernizimi dhe organizimi i forcës opozitare.
Në fjalën e tij para deputetëve, Berisha theksoi se këto katër shtylla duhet të shndërrohen në moton e përditshme të çdo drejtuesi, deputeti dhe anëtari të Partisë Demokratike, duke i konsideruar ato si rrugën e vetme për përmbushjen e misionit politik të opozitës.
“Pas Kuvendit Kombëtar hyjmë në një etapë të re. Në një kohë të re, ku secili prej nesh duhet të përsërisë qindra herë në ditë fjalët: ripërtëritje, vizion, modernizim dhe organizim. Kilometri i fundit i maratonës sonë politike mund të përshkohet me sukses vetëm nëse këto parime udhëheqin punën tonë në çdo nivel”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, transformimi i opozitës dhe përballja me qeverinë kërkon angazhim të plotë nga strukturat drejtuese dhe parlamentare të PD-së. Ai nënvizoi se përgjegjësia për zhvillimin e vizionit, modernizimin dhe riorganizimin e partisë bie tërësisht mbi demokratët.
Berisha kërkoi nga deputetët që të ndërtojnë axhendat e tyre politike mbi këtë platformë, ndërsa paralajmëroi vendosjen e standardeve dhe kritereve për vlerësimin e punës së secilit.
Kreu demokrat u ndal edhe te nevoja për të forcuar komunikimin publik të opozitës, duke kundërshtuar pretendimet se Partia Demokratike nuk ka program apo vizion.
Në vijim, Berisha u bëri thirrje deputetëve që të përkthejnë në iniciativa ligjore problematikat kryesore me të cilat përballen qytetarët, bizneset dhe fermerët, duke akuzuar qeverinë për politika që, sipas tij, rëndojnë aktivitetin ekonomik dhe favorizojnë korrupsionin.
“Duhet të transkriptojmë në ligje problemet reale të qytetarëve, prodhuesve dhe fermerëve. Në çdo sektor hasen barrë dhe kosto të diktuara nga korrupsioni dhe keqqeverisja. Mbi këtë platformë do ta ngremë opozitarizmin në Shqipëri në një nivel të ri”, deklaroi Berisha.
Në përmbyllje, ai theksoi se Kuvendi Kombëtar i PD-së ka reflektuar kërkesën e demokratëve dhe qytetarëve për ndryshim, energji të re dhe një opozitë më të organizuar, me synimin për rikthimin e votës së lirë dhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.





