Këngëtari Rigels Rajku i njohur si Noizy dëshmoi në Gjykatën e Posaçme për tritolin që iu vendos me 8 qershor të vitit 2022 në dy bizneset e tij. Sipas bashkëpunëtorit të penduar të drejtësisë, Artan Tafani ka qenë grupi i Laert Haxhiut ai që i ka vendosur eksplozivin, pas një përplasjeje të reperit Noizy me Kleviol Ahmetin. Ky i fundit shok me Haxhiun.
“Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar… Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri tek shtëpia. Kur shan dhe kërcënon në rrjetet sociale ai të vjen dhe deri tek shtëpia. Kleviol Ahmeti është personi, sharjet që nga 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam patur asnjëherë, as bashkëpunime. Është i fiksuar me mua, kërkon me se s’bën vëmendjen time. Do të bëhet shok me mua, ndërkohë që unë s’dua të bëhem shok me të”, deklaroi Noizy.
Rigles Rajku tregoi për togat e zeza të Gjykatës së Posaçme edhe se si ka rrjedhur ngjarja deri në vendosjen e tritolit.
“Më erdhi në lokal një ditë përpara shpërthimit për t’u sqaruar demek, vjen me 20 veta. Fjala e parë që thotë është “Ku është ai legeni”. Futet brenda, dalim jashtë dhe pastaj ndodh një konflikt fizik te shkallët e lokalit. Të nesërmen ndodhi tritoli. Ai bën shumë gjëra, por nuk bën asgjë. Ishte live TikTok gjatë gjithë kohës, tregonte armë në video, e dija që po vinte. Nuk njihja askënd nga ata që shoqërohej Klevioli. Erdhën me makina, me 5 të tilla. U largua me makinë pastaj, ishte pasagjer. Prezenca e tij në pronën e tij duke më ofenduar mua, sharjet, u bënë shkak për nxitjen e konfliktit”, tha Noizy.
Reperi Noizy thotë se Kleviol Ahmeti krahas vendosjes së tritolit në pronën e tij, i ka shkatërruar një makinë me eksploziv. Megjithatë për të zbardhur plotësisht ngjarjen SPAK ka kërkuar edhe dëshminë e Kleviol Ahmetit në datën 10 qershor.





