Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj protestës që po zhvillohet prej tre ditësh para Kryeministrisë, ku qytetarët kërkojnë anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e tij.
Duke iu përgjigjur kërkesave për dorëheqje, Rama i ka konsideruar ato të përsëritura dhe pa risi, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të dialogojë me protestues që, sipas tij, janë të “orkestruar”. Ai ka theksuar se është i hapur për komunikim vetëm me qytetarët që e kanë votuar dhe i kanë shprehur mbështetje përmes mesazheve personale.
Kryeministri ka shtuar gjithashtu se qeveria mbetet e palëkundur në vendimmarrjet e saj dhe se, sipas tij, protestat përbëjnë pjesë të një “lufte hibride” që nuk do të ndryshojë drejtimin e politikave të ndjekura.
Rama: Dorëheqjen e kujt? Kam një përgjigje, t’i referohen arkivit të gjatë të këtij filmi të vjetër se tanimë këtu s’ka asgjë të re. Unë nuk kam kërkuar të bisedoj me asnjë nga ata që për mua janë të kurdisur. Kam kërkuar të bisedoj me ata që kanë votuar për mua. Disa prej tyre dhe më kanë shkruar, kam respekt për ta dhe me ata jam gati të bisedoj në çdo kohë. Ai film duhet t’u tregojë të gjithëve që asgjë nuk më lëviz mua nga “istikami” ku unë kam vendosur shqiptarët. Kush flet në emër të shqiptarëve duhet të mos harrojë që përfaqësoj vullnetin e mbi 800 mijë shqiptarëve dhe kam një kontratë me ta. Ata që vijnë me librin e shtëpisë sime poshtë dritares këtu, te selia e PS dhe vijnë vërdallë nëpër rrugë si ata çakejtë e “Agimit të Artë ne Greqi”, jan subjekt vetëm për Zotin dhe Zoti i faltë se nuk e dinë çfarë bëjnë. Kjo është një luftë hibride, e cila do të mbarojë. Gjithkush do të marrë atë që i takon dhe mbi të gjitha Shqipëria dhe shqiptarët do të marrin të ardhurat që u takojnë për të rritur ekonominë, për të rritur Shqipërinë në të gjitha aspektet. Injoranca nuk është asnjëherë argument.





