Inxhinieri i mjedisit, Aleksandër Trajçe, i ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus tha se projekti i Zvërnecit është bërë i mundur pas ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura.
Ai u shpreh se territori ku parashikohet investimi ndodhet brenda një zone të mbrojtur të kategorisë së pestë, ku me ligjin para vitit 2024 nuk bëheshin dot ndryshime, pasi siç thekson inxhinieri ishte zonë qëndrore.
Trajçe ngriti gjithashtu shqetësimin se ende nuk është bërë publik projekti konkret, pavarësisht se janë prezantuar të dhëna për vlerën e investimit dhe numrin e vendeve të punës që pritet të krijohen.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Cilat janë pikëpyetjet që ju keni për këtë projekt?
Trajçe: Ne e kemi paralajmëruar këtë çështje, këtë investim që do të ndodhë fiks në rrethin që është vendosur. Kjo ka ndodhur pas ndryshimit të ligjit për zonat e mbrojtura. Të gjitha këto janë raportuar në konventat përkatëse. Së fundmi janë njoftuar edhe zhvillimet për ligjin për zonat e mbrojtura, ndërkohë vetëm dy javë më vonë u bënë publike deklaratat për investim vetë nga zoti Kushner, që prej vitit 2024. Kemi të bëjmë me një territor që është brenda një zone të mbrojtur, është kategoria 5.
Borakaj: Lejohen në kategorinë 5 të bëhen ndryshime?
Trajçe: Administrata dhe qeveria kanë bërë truke me ndryshimin e ligjit. Me ligjin e parë ishte e pamundur, sepse brenda një zone të mbrojtur ka edhe zona qendrore ku janë të izoluar, nuk lejohet asnjë investim, ndryshe nga pjesa tjetër e kategorisë5. Në vitin 2024, koncepti i izolimit u hoq, nuk kemi më zonë qendrore. Pikërisht kjo zonë, kur futesh në BE, merr statusin e një zone të mbrojtur evropiane. Ne sot që flasim kemi vlerën e investimit, numrin e të punësuarve, por nuk kemi një projekt.
/vizionplus.tv





