Gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Florjan Kalaja, i ftuar në studion e emisionit “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, është prekur teksa ka kujtuar kolegun e ndjerë, Astrit Kalaja, i cili u vra në krye të detyrës, brenda sallës së gjyqit, vetëm pak çaste pasi dha vendimin për një çështje juridike që kishte nën gjykim.
Sipas Kalasë, gjyqtari i ndjerë ishte një person që përcillte mirësi dhe dashuri për jetën.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Si gjyqtar, ndryshoi diçka te ju, në momentin që ndodhi ajo ngjarje e rëndë në Gjykatë, me vrasjen e gjyqtarit Kalaja?
Kalaja: Sigurisht. Në fakt e kam përjetuar keq, me trishtim sepse unë kam patur edhe njohje personale, por edhe si koleg. Kam gjykuar me të ndjerin. Edhe librin ia kam kushtuar pikërisht kujtimit të gjyqtarit Astrit Kalaja. Kam ndjerë që vdekja e tij na ka impaktuar të gjithëve, jo vetëm si kolegë, por edhe si miq, edhe si një person që rrezatonte mirësi, qytetari, dashuri për jetën dhe dashuri për të mirën. Uroj që kjo ngjarje e mosndodhshme të shërbejë që kjo vrasje në krye të detyrës, nga organet kompetente, t’i jepet statusi i duhur të ndjerit, por edhe familjarëve. Kjo duhet të ndodhë për çdo person që humb jetën në krye të detyrës.
/vizionplus.tv





