Tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të mbeten të larta. Ushtria amerikane ka njoftuar se ka goditur disa objektiva në Jug të Iranit, në atë që e përshkroi si një operacion për mbrojtjen e forcave të saj ushtarake në rajon.
Sipas Komandës Qendrore Amerikane, sulmet kishin në shënjestër baza raketore dhe anije iraniane që dyshohej se po kryenin aktivitete kërcënuese pranë rrugëve të rëndësishme detare. Zyrtarët amerikanë thanë se veprimet u ndërmorën për të parandaluar rrezikun ndaj trupave amerikane dhe për të garantuar sigurinë e lundrimit në zonë.
Operacioni u zhvillua pranë Ngushticës së Hormuzit, një prej pikave më strategjike në botë për transportin e naftës dhe energjisë.
Në deklaratën e tij, kapiteni Tim Hawkins, tha se ushtria amerikane po vazhdon të tregojë përmbajtje gjatë periudhës së armëpushimit, por mbetet e gatshme të reagojë ndaj çdo kërcënimi.
Ndërkohë pas sulmeve udhëheqësi suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei ka paralajmëruar se vendet në Lindjen e Mesme “Nuk do të jenë më mburojë për bazat amerikane”.
Mojtaba Khamenei: Akrepat e orës nuk do të kthehen prapa, kombet dhe vendet e rajonit nuk do të jenë më mburojë për bazat amerikane. Amerika nuk do të ketë më një strehë të sigurt për të keqen që ka sjellë dhe krijimin e bazave ushtarake në rajon.
Ndërkohë presidenti amerikan Donald Trump është shprehur së fundmi se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit duhet ose t’u dorëzohen Shteteve të Bashkuara, ose “Të shkatërrohen në vend”
Nga ana tjetër Izraeli intensifikoi sulmet në Libanin jugor, pasi kryeministri Benjamin Netanyahu tha se ka urdhëruar ushtrinë e tij t’i përshkallëzojë operacionet kundër Hezbollahut. Sulmet nuk janë ndalur pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 17 prill.
Përshkallëzimi i fundit vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë duke punuar në finalizimin e një marrëveshjeje më të gjerë, që synon t’i japë fund konfliktit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë potencialisht edhe atë në Liban.





