Pa kaluar as tre vite nga miratimi, Ligji i Policisë së Shtetit ka nxjerrë në pah problematika sa i takon zbatimit të tij, por edhe ngërçe në lidhje me emërimin në pozicione të rëndësishme, duke sjellë zvarritje të procesit.
Deputeti socialist Bujar Rexha ka depozituar në Kuvend projektligjin për disa ndryshime të ligjit aktual, amendime që prekin drejtorin e përgjithshëm, ata vendorë si dhe shefat e komisariateve.
Drejtori i Përgjithshëm propozohet të mos largohet nga radhët e policisë, siç ndodh aktualisht. Ai do të mbajë gradën “Drejtues i Parë”, duke i dhënë mundësinë që të vazhdojë karrierën brenda uniformave blu, por pa të drejtë rikandidimi. Po ashtu, ai gëzon të drejtën për t’u emëruar si këshilltar ose oficer kontakti.
Një tjetër propozim parashikon heqjen e konkursit për drejtorët e policive vendore apo për shefat e komisariateve. Që nga viti 2024, ata emërohen me konkurse, por afatet e tyre kanë sjellë vonesa në proces dhe, për pasojë, edhe vende vakante të bllokuara. Drafti i ri i jep të drejtë Drejtorit të Përgjithshëm të emërojë drejtpërdrejt drejtorët vendorë dhe shefat e komisariateve, siç ka qenë më parë.
Ndryshime propozohen edhe për sistemin e gradave. Aktualisht, ndryshimi i nivelit të gradave bëhet vetëm me 5 vite diferencë. Por deputeti socialist kërkon që kalimi nga gradat “komisar” në “kryekomisar” dhe “kryekomisar” në “drejtues” të bëhet me 4 vjet.
Drafti përfshin gjithashtu rritje të kompetencave për Drejtorin e Përgjithshëm, i cili mund të rrisë me një gradë një oficer policie për merita të dalluara në punë apo akte heroike. Nga ana tjetër, shefat e departamenteve do të emërohen direkt nga kreu i policisë pa konkurs dhe me mandat më të shkurtër, 3 vjet në total, me të drejtë rikandidimi.
Ndryshimet e propozuara pritet të kalojnë në komisionet parlamentare dhe më pas në Kuvend për votim.
/vizionplus.tv





