Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është ulur këtë të enjte në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Posaçme, ndërsa është nxjerrë nga kafazi i qelqtë pas kërkesës së paraqitur nga mbrojtja e tij.
Në seancën gjyqësore për çështjen e sterilizimit, Beqaj akuzohet se, në cilësinë e ish-ministrit të Shëndetësisë, ka kryer vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, lidhur me kontratën koncesionare me vlerë rreth 100 milionë euro.
Përmes avokatit të tij, Beqaj kërkoi pushimin e menjëhershëm të çështjes ose pezullimin e gjykimit dhe dërgimin e saj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Beqaj nuk mund të merret i pandehur për akuza që nuk janë formësuar në mënyrën e kërkuar nga ligji. Kërkojmë kontroll incidental kushtetues, pushimin e çështjes dhe pezullimin e gjykimit”, deklaroi avokati në sallën e gjyqit.

Mbrojtja argumentoi se procedura ndaj ish-ministrit ka probleme ligjore dhe kushtetuese, duke kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese për interpretim.
Nga ana tjetër, Beqaj ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij, duke deklaruar se koncesioni për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale ishte një nevojë për sistemin shëndetësor.
Sipas tij, kontrata ndihmoi në uljen e infeksioneve spitalore, modernizimin e instrumenteve kirurgjikale dhe krijimin e rreth 250 vendeve të punës.
/vizionplus.tv





